Nëse për të tjerët vera është kohë pushimi, për ne është përgatitje intensive e ambienteve për vitin e ri shkollor. Kësaj here Vizion OJF në bashkëpunim me partnerin Internacional Project Aid Zvicër, u gjendën në shkollën 9-vjeçare Tarazh. Shkolla pritëse e 32 nxënësve dhe 12 fëmijëve në kopësht, paraqitej në kushte emergjente jo të përshtatshme për zhvillimin e mësimit. Tavani dhe çatia tejet të amortizuara ishin rrezik për nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle të cilët e kishin shumë të vështirë mësimdhënien. Në këtë fazë të parë u bënë të mundur ndërtimi i çatisë së re, tavani dhe në bashkëpunim me mësuesit edhe lyerja e shkollës. Me punë intensive mundëm që të hapnim dyert për fëmijët ditën e parë me një shkollë më të sigurt dhe sigurisht më të bukur. I pritëm krahë hapur, jo vetëm me buzëqeshje, por edhe me çanta dhuratë për secilin prej tyre. Nga Tarazhi uruam të gjithë nxënësit dhe mësuesit për një vit të suksesshëm shkollor me rezultate të shkëlqyera. Stafi i mësuesve dhe prindërit në Tarazh janë shumë mirënjohës për punën e bërë. Fëmijët na lumturuan me kartolinat dhe vizatimet e përgatitura në shenjë falenderimi. Faleminderit mësueseve dhe nxënësve të shkollës Tarazh që na dhuruan energji pozitive! Në një shkollë ku figura e saj ishte përkulur nën tavanin që frikësonte nxënësit e ato largoheshin çdo ditë, tani ishin nxënësit që të lumturonin me vizatimet e punimet e bëra me shumë kujdes në shenjë falenderimi.